Rizoto me pulë dhe kërpudha

Në një tenxhere të madhe, nxehim vajin dhe skuqim mirë, nga të dyja anët filetot dhe kërpudhat. Pasi të skuqen, i heqim dhe i lëmë mënjanë. Në të njejtën tenxhere me esencën e pulës dhe kërpudhave, shtojmë gjalpë dhe skuqim qepën e hudhrat. Hedhim orizin dhe e perziejmë vazhdimisht për dy minuta. Shtojmë verën, kripë, piper duke e përzier derisa vera të përthithet.
Shtojmë ½ filxhani lëng pule duke e përzier, që të përthithet sa më mirë. Vazhdojmë të gatuajmë orizin, duke shtuar herë pas here ½ filxhani lëng pule derisa të përthithet. Duke gatuar në këtë mënyrë, do të na duhen rreth 25-30 minuta derisa orizi të jetë i butë.
Pak minuta pasi kemi hedhur masën e fundit të lëngut, shtojmë përzierjen e pulës dhe kërpudhave. Në fund, shtojmë ½ filxhani djathë parmezan të grirë, majdanoz dhe pana. I përziejmë mirë të gjithë përbërësit.
E heqim nga zjarri kur të jetë përthithur i gjithë lëngu dhe rizoto të jetë bërë e dendur nga kremi. E shërbejmë menjëherë me parmezan të grirë, sipas dëshirës.

 

Përbërësit:

2 lugë gjelle gjalpë
2 ½ filxhanë kërpudha të freskëta, të prera
1 – 2 gjokse pule të prera
5 ½ filxhanë lëng pule (i ngrohtë)
1 ½ filxhan oriz për rizoto
½ gotë verë e bardhë e thatë
1 qepë e madhe, prerë hollë
4 thelpi hudhra, të shtypura
1 filxhan djathë parmezan i grirë
¼ filxhan pana (sipas dëshirës)
2 lugë gjelle majdanoz i freskët, i grirë
Vaj ulliri
Kripë
Piper